iPhone 11 Pro nga kompania Apple gjurmon vendndodhjen e përdoruesve edhe kur ata e kanë fikur këtë opsion në telefonin e tyre. Kjo u zbulua nga një studiues i sigurisë.

Brian Krebs tha se telefoni mbledh të dhëna në lidhje me vendndodhjen e një përdoruesi edhe nëse ky opsion është i fikur në çdo aplikacion individual. Sidoqoftë, përdoruesi mund të shmangte gjurmimin e tij nëse kishte përzgjedhur opsionin që aplikacioni mos të tregojë asnjëherë vendndodhjen për të gjthë sistemin e telefonit.

Apple tha se kjo që ndodh në telefon është diçka e pritshme dhe mohoi faktin që ky është një problem sigurie.

Kompania ka ofruar një mundësi shumë të mirë në këtë aspekt, duke qenë se i lejon përdoruesit kontroll të plotë mbi gjurmimin e vendndodhjes së tyre. Kështu për shembull, ata mund të bëjnë të disponueshëm gjurmimin vetëm për aplikacionin Maps dhe mund ta mbajnë fikur atë për çdo aplikacion tjetër.

Z. Krebs zbuloi se përdoruesit mund të çaktivizojnë plotësisht të gjitha shërbimet e vendndodhjes duke ndjekur këto hapa: Settings>Privacy>Location Services.

“iPhone 11 Pro nga Apple kërkon vazhdimisht informacion në lidhje me vendndodhjen e përdoruesit edhe kur të gjitha aplikacionet dhe shërbimet e sistemit në telefon janë vendosur individualisht në opsionin që të mos i kërkojnë kurrë këto të dhëna,” shkroi Z. Krebs në blogun e tij.

Ai kontaktoi Apple për të raportuar këtë çështje, duke shpërndarë një video, e cila tregonte ikonën e aktivizuar të shërbimeve të vendndodhjes, edhe pse çdo aplikacion dhe shërbim i sistemit ishte vendosur që të “mos kërkonte kurrë” këtë informacion.

Një inxhinier është përgjigjur: “Ne nuk shohim ndonjë problem aktual të sigurisë. Është dizejnuar që ikona e shërbimeve të vendndodhjeve të shfaqet në shiritin e njoftimeve kur aktivizohen shërbimet e vendndodhjes,” duke shtuar se disa shërbime të sistemit “nuk mund ta heqin këtë opsion tek Settings “. Kjo, argumentoi zoti Krebs, është në kundërshtim me vetë politikën e privatësisë së kompanisë./TechSot.Al