Makina Tesla Model 3 u përplas me një makinë policie dhe një automjet tjetër teksa ishte vendosur në opsionin Autopilot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si makina e policisë ashtu edhe automjeti tjetër, me të cilat ndodhi përplasja, ishin parkuar në momentin kur ndodhi aksidenti. Shoferi i tha policisë se ai e vendosi makinën e tij Tesla Model 3 në Autopilot në mënyrë që të kontrollonte qenin e tij i cili ishte sendilen e pasme të makinës.

Aksidenti ndodhi në Interstate 95 në Norwalk, Connecticut, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Makina e policisë ishte e parkuar pas automjetit që u përfshi në incident, me dritat e saj blu të ndezura, ndërsa priste një remorkie.

Tesla, e cila shitet duke filluar me çmimin 42,000 paund në Mbretërinë e Bashkuar dhe 36,000 dollarë në SH.B.A., goditi pjesën e pasme të makinës së policisë dhe vazhdoi të ecte përpara, duke shkaktuar edhe goditjen e makinës tjetër që kishte para.

Policia raportoi se askush nuk u plagos.

Forca policore shtoi: “Pavarësisht ‘aftësive’ të automjetit tuaj, kur përdorni një automjet kërkohet vëmendja juaj e plotë në drejtimin e tij, për të garantuar sigurinë tuaj dhe të të tjerëve.”. Shoferi u akuzua për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Kjo nuk është hera e parë që një Tesla përplaset teksa është e vendosur në opsionin Autopilot. Në total, ka pasur pesë vdekje në të gjithë botën . Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) në SH.B.A. aktualisht po heton aksidentet e shkaktuara nga vendosja e automjeteve në opsionin Autopilot. Tesla nuk iu përgjigj kërkesës për të dhënë një koment për këtë ngjarje. Sidoqoftë, kompania nuk rekomandon që shoferët të heqin duart nga timoni gjatë përdorimit të makinës së tyre në opsionin Autopilot./TechSot.Al