YouTube nuk do të lejojë më video, të cilat fyejnë dikë bazuar në cilësime të tilla siç është raca, identiteti gjinor ose seksualiteti. Platforma e publikimit të videove do të ndalojë gjithashtu “kërcënimet e nënkuptuara të dhunës”, si pjesë e politikave të reja lidhur me ngacmimin e përdoruesve në YouTube.

Në qershor të këtij viti u ngrit një shqetësim nga një krijues videosh, një rast ky që pati shumë bujë. Ai tha që kishte qenë objekt i abuzimit nga një tjetër përdorues i YouTube. Në atë kohë, YouTube tha që rregullat e tij nuk ishin thyer. Por tani kompania ka fshirë shumë nga videot në fjalë.

“Edhe nëse një video e vetme nuk i tejkalon rregullat, me politikën tonë të re të ngacmimit, ne mund të marrim parasysh një model sjelljeje për zbatimin e tyre,” është shprehur Neal Mohan, drejtor i produkteve në YouTube.

Si rezultat i ndryshimit të politikës në platformë, kompania në pronësi të Google,  gjithashtu konsideroi heqjen e videove të Presidentit Trump ku ai quan senatoren demokrate Elizabeth Warren “Pocahontas” për ta tallur për deklaratën e saj se ajo ka në pronësi trashëgimi amerikane të hershme.

Por platforma tha se qëllimi i presidentit ishte që të ndikonte tek votuesit, më shumë sesa të sulmonte kundërshtaren e tij dhe kështu që videot do të qëndrojnë në internet.

Çfarë përmban politika e përditësuar e YouTube?

Para përditësimit të fundit, YouTube kishte ndaluar videot që:

  • përmbajnë kërcënime të qarta të dhunës
  • bullizojnë dikë për pamjen e tij/saj të jashme
  • zbulojnë informacione personale të dikujt
  • inkurarojnë shikuesit të ngacmojnë një individ

Politika e përditësuar gjithashtu ndalon:

  • Kërcënime të nënkuptuara ose ‘të maskuara’ dhune
  • Dhunë të simuluar ndaj një individi
  • Fyerje të individit lidhur me racën, gjininë ose orientimin seksual

YouTube tha që politika e re do të zbatohet për të gjithë, përfshirë politikanët dhe personat e njohur në platformë, si dhe për çdo përdorues tjetër./TechSot.Al