Një raport i bërë së fundmi deklaron se përdorimi i mediave sociale në fakt nuk është me të vërtetë falas. Përkundrazi, pas tyre fshihen shumë persona me qëllime jo të mira, të cilët manipulojnë zgjedhjet, si dhe nëpunës qeveritë që vëzhgojnë aktivitetin e përdoruesve. Raporti është realizuar nga “organizata e pavarur mbikëqyrëse” Freedom House.

Ndërkohë që përpjekjet në vazhdim për të ndërhyrë tek zgjedhjet janë një shqetësim i madh, masa e mbikëqyrjes së përdoruesve është po aq shqetësuese. Sipas raportit, 40 nga 65 vendet që u studiuan kanë krijuar programe të përparuara të mbikëqyrjes së mediave sociale.

Për sa i përket lirisë në internet, Kina u rendit si vendi më pak i lirë. Rusia dhe Egjipti gjithashtu u vlerësuan si të tillë. Në total, 89 përqind e përdoruesve të internetit ose afro 3 miliardë njerëz bien pre e programeve të spiunimit, një numër absolutisht tronditës. Dhe mënyra se si ata po e realizojnë këtë është po aq tronditëse. Për shembull, raporti tregon se në Iran, ekziston një grup prej 42,000 vullnetarësh që monitorojnë mënyrën e të folurit në internet. Partia Komuniste e Kinës ka një sistem të ngjashëm që zbulon përmes të dhënave përmbajtjet problematike. Ndërkohë, firma kineze Semptian krenohet se sistemi i saj i mbikëqyrjes Aegis e ndihmon atë të monitorojë mbi 200 milion njerëz në Kinë.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara janë të listuara si “të lira” ndaj censurës në internet, raporti sqaron se SH.B.A-të nuk janë aq ‘të pafajshëm’. Raporti përmend kompaninë izraelite të sigurimit kibernetik Cellebrite, i cili kohëve të fundit ra dakord për një marrëveshje të re me ICE (kompani amerikane) me vlerë rreth 30-35 milion dollarë. Mjetet e Cellebrite u mundësojnë përdoruesve të hakojnë lehtësisht telefonat dhe të kenë akses tek të gjitha llojet e të dhënave. Gjithashtu vendet e tjera po dërgojnë zyrtarë në Sh.B.A për të mësuar se si të monitorojnë mediat sociale.

Raporti thotë se “Zyrtarët filipinë udhëtuan në Karolinën e Veriut për trajnime nga personeli i ushtrisë amerikane për zhvillimin e një njësie të re të monitorimit të mediave sociale”. Dhe Batalioni i Aksionit të Shpejtë të Bangladeshit (RAB), një njësi “anti-terrorizëm” e mbështetur nga qeveria që është e njohur kryesisht për shkelje masive të të drejtave të njeriut, përfshirë torturat dhe “vrasjet jashtëgjyqësore”, mori dritën jeshile për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara në Prill të viti 2019 për të mësuar si të përdorin “Softuerin e Sistemit të Monitorimit të Rrjeteve Sociale bazuar në Vendndodhje.”/TechSot.Al