Sipas një raporti të ri, ulja e shpejtësisë së anijeve ka përfitime të mëdha për njerëzit, natyrën dhe klimën. Një ulje prej 20% do të shkurtonte gazrat serë, dhe gjithashtu do të reduktonte ndotësit që dëmtojnë shëndetin e njeriut si karboni i zi dhe oksidet e azotit. Ky kufi i shpejtësisë do të ulte zhurmën nënujore me 66% dhe do të zvogëlonte mundësinë e përplasjes me balenat me 78%. Negociatorët e Kombeve të Bashkuara do të takohen në Londër këtë javë për të shqyrtuar propozimet për uljen e shpejtësisë detare.

Anije të të gjitha llojeve dhe madhësive, transportojnë rreth 80% të mallrave në botë. Ato janë gjithashtu përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të emetimeve për shkak të djegies së karburantit. Transporti gjeneron afërsisht 3% të totalit global të gazrave që ndikojnë në efektin serë.

Ky studim i ri, i realizuar për grupet e fushatave ‘Detet në Rrezik’ dhe ‘Transporti & Mjedisi’ bazohet në hulumtimet ekzistuese që sugjerojnë se ngadalësimi i anijeve është një ide e mirë nëse duam që të frenojmë gazrat serë. Raporti gjithashtu përmend një sërë ndikimesh të tjera të shpejtësisë të madhe, siç është ndotja e ajrit dhe zhurma detare. Kur anijet udhëtojnë më ngadalë ato djegin më pak karburant, që do të thotë se kursehet oksidi i zi i karbonit, squfurit dhe azotit. Dy të fundit në veçanti kanë ndikime serioze në shëndetin e njeriut, veçanërisht në qytetet dhe zonat bregdetare afër sipërfaqeve detare të transportit.

Raporti zbuloi se ulja e shpejtësisë së anijeve me 20% do të ulte emetimin e oksidit të squfurit dhe azotit me rreth 24%. Do të kishte gjithashtu ulje të konsiderueshme të karbonit të zi, të cilat janë grimca të vogla të zeza të përfshira në tymin që lëshojnë anijet. Studimi thotë gjithashtu se ulja e shpejtësisë me 20% do të zvogëlonte ndotjen akustike me dy të tretat.

Ulja e emetimit të karbonit të zi ndihmon në uljen e nivelit të ngrohjes së klimës në rajonin e Arktikut, sepse kur anijet djegin karburant në ujërat e akullta veriore, grimcat shpesh bien në dëborë, dhe kufizojnë aftësinë e tij për të reflektuar rrezet e Diellit, gjë që përshpejton ngrohjen në rajonin e Arktikut.

“Ky projekt do të thotë vetëm fitore, fitore, fitore, fitore ,” tha John Maggs nga ‘Detet në Rrezik’.

“Ne kemi përfitime nga pikëpamja klimatike, shëndetit të njeriut, natyrës detare, kemi një përfitim të mundshëm të sigurisë, dhe deri në një fare pike do të kursehen paratë e industrisë së transportit./TechSot.Al