Samsung ka njoftuar se Netflix nuk do të funksionojë më në disa prej televizorëve ‘smart’ të kësaj kompanie. Duke filluar që në datën 1 dhjetor, aplikacioni Netflix nuk do të funksionojë më në disa modele të viteve 2010 dhe 2011 për shkak të kufizimeve teknike që kanë këto pajisje. Përdoruesit mund të kontrollojnë nëse do të mund të përdorin Netflix në pajisjet e tyre duke klikuar në këtë LINK.

Samsung shkroi në faqen e saj të kujdesit ndaj klientit: “Për shkak të kufizimeve teknike, Netflix nuk do të funksionojë më në televizorët e viteve 2010 dhe 2011 duke filluar nga 1 dhjetori. Nëse keni një nga modelet e lartpërmenduara, në televizorët tuaj do të shfaqet një lajmërim që do të tregojë se Netflix nuk do të jetë më i disponueshëm. Megjithatë, ju mund të shikoni prodhimet e kësaj platforme në këto televizorë duke lidhur një pajisje tjetër me Netflix në të.”

Jim Martin, redaktor i faqes Tech Advisor për përditësimet e teknologjisë, tha se konsumatorët duhet të kontrollojnë nëse ndonjë prej pajisjeve të tjera që ata zotërojnë mund të përdoren për të pasur qasje në Netflix.

“Ky është çmimi që duhet të paguajmë kur kemi një pajisje të vjetër” është shprehur ai. “Teknologjia lëviz shumë shpejt dhe asgjë nuk zgjat përgjithmonë.”

Ai shtoi se njerëzit që duan të vazhdojnë të përdorin shërbimet e transmetimit në televizorin e tyre ekzistues duhet të vendosin një kabllo transmetimi./TechSot.Al