“Mark Zuckerberg duhet të paguajë një çmim për atë çka po i bën demokracisë sonë.” Kështu ka thënë Hillary Clinton gjatë një eventi që ajo mbajti për një dokumentar në lidhje me konsulencën politike kontraversionale ‘Cambridge Analytica’.

Kjo vërejtje e Klinton është goditja më e fundit për Drejtorin Ekzekutiv të Facebook Zuckerberg dhe efektin negativ që kritikët thonë se rrjeti i tij social po shkakton në shoqërinë amerikane dhe sistemin e saj politik. Kohëve të fundit, Zuckerberg po përballet me pasojat e vendimit për të mos hequr reklamat e politikanëve që përmbajnë falsitete.

“Një pjesë e problemit tonë, e atyre që janë të tmerruar nga kjo luftë ndaj së vërtetës dhe këtyre lajmeve të rreme, të cilat po na rrethojnë këto ditë, është se ne nuk dimë sesi ta luftojmë atë,” tha Klinton gjatë eventit në New York. “Është e vështirë, sepse jemi kundër algoritmeve dhe të gjitha këtyre forcave të tjera të fuqishme, është me të vërtetë e vështirë”.

Dokumentari i Cambridge Analytica, The Great Hack, tregon për rolin e kompanisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2016, ku Klinton humbi kundër Donald Trump. Ky dokumentar gjithashtu shtron një pyetje të rëndësishme: A po manipulohemi nga mediat sociale, kur ne u japim kompanive të teknologjisë informacionin tonë personal?

“Nuk ka të bëjë vetëm me një zgjedhje, ka të bëjë me kaq shumë  zgjedhje me të cilat po përballemi tani në shoqëri,” u shpreh Klinton për situatën aktuale. “Përdorimi i të dhënave tona për të na manipuluar, për të fituar para nga ne, është me të vërtetë një nga sfidat kryesore me të cilat përballemi. Ky informacion na përket ne, por  mesa duket njerëzit harrojnë se duhet të kërkojnë t’i zotërojnë ato.”/TechSot.Al