Informacionet në lidhje me telefonin e ardhshëm iPhone SE 2 dalëngadalë po bëhen publike. Analisti i Apple, Ming-Chi Kuo publikoi një raport të ri për iPhone SE 2 (ky mund të jetë ose jo emri i telefonit), duke deklaruar se telefoni do të kalojë në prodhim masiv në janar të vitit të ardhshëm dhe do të lançohet në fund të muajit mars.

Në fillim të këtij muaji, Kuo tha se SE 2 do të lançohet në tremujorin e parë të vitit 2020, kështu që përditësimet e fundit na tregojnë se telefoni do të jetë në shitje në fund të kësaj periudhe. iPhone SE u lançua në mars të vitit 2016, dhe një version i përditësuar u lançua në mars të viti 2017. Informacionet për telefonin e ri janë të pakta. Është bërë me dije se SE 2 do të ketë një pamje të ngjashme me iPhone 8 dhe me shumë mundësi do të ketë një ekran 4,7 inç dhe një buton. Do të ketë një CPU A13, 3 GB RAM dhe do të jetë në gjendje të mbajë 64/128 GB memorie. Ashtu si iPhone 11 , edhe ky lloj nuk do të ketë 3D Touch. Kuo tha se pajisja do të vijë në ngjyrën gri, argjend dhe të kuqe.

Me pak fjalë, ky lloj do të jetë iPhone i ri më i vogël dhe më i lirë që do të keni mundësi të blini. Kuo deklaroi se telefoni mund të ketë një kamerë të vetme, gjë e cila është e arsyeshme duke pasur parasysh se çmimi fillestar thuhet se do të jetë 399 dollarë.

Aktualisht, iPhone më i lirë që mund të blini nga Apple është iPhone 8, i cili fillon nga 329 dollarë, por ky telefon ka një çip të vjetër A11. Me shumë mundësi Apple nuk do ta nxjerrë më në shitje këtë model pas lançimit të iPhone SE 2./TechSot.Al