Google ka konfirmuar se sistemi i zhbllokimit me fytyrë i smartphone-it Pixel 4  mund të lejojë aksesin në pajisje edhe nëse përdoruesi i ka sytë e mbyllur. Një ekspert i sigurisë tha se kjo përbën një problem të madh, pasi mund të lejojë qasje të paautorizuar në pajisje. Ndryshe nga ky sistem, sistemi i zhbllokimit të telefonit me njohjen e fytyrës i Apple i kontrollon përdoruesit në mënyrë  “vigjilente” dhe duhet të shikoni në telefon në mënyrë që të zhbllokohet.

Google tha në një deklaratë: “Zhbllokimi i Pixel 4 me fytyrë plotëson kërkesat e sigurisë si një masë e fortë.” Megjithatë, pas provave të shumta dhe deklaratave të përdoruesve u vërtetua se smartphone zhbllokohet edhe nëse përdoruesit mbyllnin sytë dhe shtireshin sikur ishin në gjumë. Testi u përsërit nga njerëz të ndryshëm dhe pati të njëjtin rezultat.

Nga ana tjetër, para se Pixel 4 të lançohej ishte lajmëruar se nëse përdoruesit do të zgjidhnin sistemin e zhbllokimit me fytyrë duhet të klikonin edhe mbi veçorinë ‘Kërkoni që sytë të jenë të hapura’ në menunë e sistemit të sigurisë. Në fakt, kjo veçori nuk ekzistonte në pajisjet e përdorura në testim.

“Nëse dikush mund të zhbllokojë telefonin tuaj ndërsa jeni duke fjetur, është një problem i madh sigurie”, tha eksperti i sigurisë kibernetike Graham Cluley. “Dikush i paautorizuar, fëmijët  apo partneri/ja juaj, mund ta zhbllokojë telefonin pa lejen tuaj duke e vendosur para fytyrës ndërsa jeni duke fjetur,” tha ai.

Të paktën telefoni juaj nuk mund të zhbllokohet me anë të fotove ose maskave. “Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë sistemin e zhbllokimit të telefonit me fytyrë (Face Unlock) me kalimin e kohës,” tha Google në një deklaratë./TechSot.Al