Programi i inteligjencës artificiale të Google, AlphaGo mundi për herë të dytë mjeshtrin kinez të Go, Ke Jie, duke marrë udhëheqjen e pasfidueshme 2-0 në një seri që ka për qëllim të testojë kufijtë e kompjuterëve në zëvendësimin e njerëzve për kryerjen e detyrave komplekse. Go shpjegon TechSot.al është një lojë tepër e ndërlikuar që daton mijëra vjet më parë dhe përfshin 2 kundërshtarë që vendosin gurë të bardhë e të zinj në një rrjet koordinativ. Është një lojë shumë popullore në vendet aziatike dhe lojtarët më të mirë të saj vijnë nga Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.

“Në lojën e parë, do të duhej të pyesnit lojtarët e fortë të Go, çfarë mendonin për AlphaGo, cilat ishin shanset për të dyja palët. Një gjë që mund t’ju them në fund të lojës së parë, është se ju tashmë e dini, që AlphaGo maksimizon shanset e saj për fitore, prandaj shpesh në fund të lojës, shihen lëvizje ku AlphaGo fal disa pikë. Kjo sepse nuk po përpiqet të maksimizojë diferencën e fitores. Kjo nuk ka rëndësi për AlphaGo, ajo përqëndrohet që ta fitojë lojën,” shpjegoi shefi ekzekutiv i Google DeepMind për TechSot.al, Demis Hassabis.

19-vjeçari Ke, numri një në botë i lojës Go, ishte dukshëm i irrituar gjatë lojës së dytë kundër AlphaGo, duke vendosur kokën e tij në tavolinë në momentet finale. Pas humbjes së dytë, Ke tha se ai nuk do të garojë më kundër inteligjencës artificiale për shkak të përmirësimit të saj madhor.

“Nuk e ndiej se kjo ndeshje me AlphaGo do të jetë një shans për ta mundur.”

Fitorja ndaj lojtarit më të mirë në botë – që shumë persona mendonin se do të donte dekada për t’u arritur shkruan TechSot.al, vjen pasi programi i inteligjencës artificiale nga njësia DeepMind e Google, mposhti një profesionist koreano-jugor në një ndeshje të ngjashme vitin e kaluar./TechSot.al/