Në një event të mbajtur në Londër, organizatorët paraqitën lojën e re Injustice 2, me një turne special dhe me njerëz të veshur si personazhet kryesore. Kjo lojë e re vijon historinë e paraardhëses së saj të 2013, Injustice: Gods Among Us, që fillon në një univers të përçarë, kur lidhjet janë shkatërruar dhe çdo aleancë lihet mënjanë për hir të luftës.

Me 29 personazhe të ndryshme, plus të tjerë për t’u shkarkuar në versionin deluxe dhe ultimate, loja shkruan TechSot.al sjell heronj dhe antagonistë të rinj dhe të vjetër të DC. Wonder Woman, Batman dhe Superman janë ndër heronjtë e vjetër që shfaqen, ndërkohë që nga të rinjtë, vijnë personazhe si Cheetah, Firestorm, Robin dhe Supergirl. Historia e lojës së re tregon Batman dhe aleatët e tij që punojnë për të rindërtuar shoqërinë. Por ata përpiqen ta bëjnë këtë kundër atyre që duan të rivendosin regjimin e Superman.

Secili nga personazhet e DC në Injustice 2 sic raporton TechSot.al ka stilin e tij të veçantë dhe një kombinim të lëvizjeve speciale. Lojtarët mund të fitojnë mundësi dhe aftësi të reja dhe modaliteti i ri Multiverse i ofron atyre mundësinë për të marrë pjesë në sfida të ndryshme dhe për të fituar shpërblime shtesë.

Drejtori kreativ Ed Boon shpjegon për TechSot.al diçka më shumë mbi origjinën dhe produksionin për këtë lojë.

“Jam përgjegjës për mbikëqyrjen e drejtimit kreativ të lojës, përsa i përket pjesëve të ndryshme të saj. Kemi këtë histori të menduar mirë që ne e tregojmë si të ishte një eksperiencë e kinematografisë. Kemi 29 personazhe që kanë fuqi dhe lëvizje individuale unike dhe për t’i bërë ndryshe nga njëri-tjetri, kemi ambjente, animime, audio, kolona zanore.” “Superheronjtë, heronjtë e DC dhe të këqinjtë, të gjithë kanë të bëjnë me epiken në përmasa të mëdha. Është shumë më epike se e dhunshme, aty ku Mortal Kombat kishte rrënjët e saj. Kjo është më shumë për heronjtë dhe antagonistët që janë portretizuar në kaq shumë mënyra të ndryshme përgjatë viteve.”

“20 vjet më parë ne po bënim lojën e parë luftuese mbi të cilën kemi punuar me Mortal Kombat 1. Ishim vetëm 4 persona, 2 artistë, 1 djalë për audion dhe unë. Teksa krijuam çdo lojë pasuese, skuadra filloi të rritej. Dhe tashmë janë mbi 200 persona që punojnë për lojën. Është si të bësh një film. Kemi të gjithë produksionin, kemi kameramanë, kemi aktorë, animatorë të kolonave zanore, ndërtues të seteve dhe modelues të personazheve. Është një produksion i madh.”

“Filluam duke xhiruar njerëz para ekraneve blu dhe jeshile. Me vitet, përdorëm shumëkëndëshat dhe të gjitha këto gjëra të ndryshme. U bë një proces tërësisht ndryshe i të bërit të këtyre lojërave. Kurrë nuk do ta mendoja që do të zhvillohej në një projekt si tani.” Edhe reagimet e para për këtë lojë nga personat që patën mundësinë ta provonin, ishin pozitive.

Cilësia e grafikës dhe mundësia për t’u përmirësuar gjatë lojës, janë ndër aspektet kyç më të vlerësuara sipas TechSot.al.

“Në përgjithësi, duket më mirë dhe animimet janë më të pastra. Karakteristikat e reja që ata kanë shtuar, kanë shtuar disa opsione të lojës si rrokullisja që mendoj se është fantastike, është një mënyrë e mirë që njerëzit të shmangin presionin,” shpjegon për portalin tonë testuesi i lojërave, Okechi Williams.

“Më pëlqen fakti që është ekstremisht taktike. Nuk është një lojë lufte që vetëm e merr dhe shtyp disa butona. Kjo do të thotë se duhet të praktikohesh për t’u përmirësuar. Kur luan online me miqtë, ti ke një progresion,” shton youtuberi Grant Hinds. Loja është publikuar më 19 Maj në Playstation 4 dhe Xbox One./TechSot.al/